Kreu i Zyrës së Komisionit Europian në Tiranë, Giulia Re dhe ambasadorja zvicerane, Ruth Huber, zhvilluan sot një takim në ambientet e Autoritetit të Dosjeve ku u njohën nga afër me proceset e punës si dhe projektet që po zhvillon institucioni.
Vizita nisi në 3 sallat me dokumente të arkivit të AIDSSH ku u njohën me mënyrën e ruajtjes së dokumenteve, tipologjinë e dosjeve, të individëve, grupeve dhe Objekteve të Rëndësisë së Veçantë, etj.
Të pranishmit u njohën edhe me punën e bërë në arkivën digjitale, procesit që po merr jetë me ndërtimin të fototekës dhe mediatekës, si dhe vizituan bibliotekën “Musine Kokalari”.
Kryetarja e Autoritetit, dr. Gentiana Sula tha në fjalën e saj se: “Nuk ka histori dhe ngjarje të patrajtueshme ndaj e shoh më shumë interes që të dalim mbi historinë individuale dhe krijojmë një platformë që jetë e hapur, të ketë vend për mësues që bëjnë projekte të bukura, edhe për nxënës që bëjnë projekte të bukura, për studentët e fakulteteve, që do të jenë nesër mësuesit e ardhshëm”.
Ndërsa ambasadorja zvicerane, Ruth Huber tha në fjalën e saj se ishte tepër e rëndësishme që të njihej me këto dosje dhe historitë e tyre si dhe me mënyrën si i jepet informacioni familjeve të tyre, por edhe punën që po bëhet, platformën, si dhe bërjen e disponueshme të këtyre informacioneve për më tej, për kërkuesit, studentët, duke vendosur, krijuar një kurrikulë mbi historinë, që më pas brezat e rinj, brezat e ardhshëm të mund të kenë qasje në këtë informacion.
Për kreun e Zyrës së Komisionit Europian në Tiranë, Giulia Re, me rëndësi është që gjeneratat e reja të njohin historinë e të shkuarës në mënyrë që të kuptojnë të tashmen dhe të bëjnë të mundur që e kaluara të mos përsëritet.
Autoriteti është tashmë një institucion ku zhvillohen aktivitete që kanë në qendër zbërthimin e dokumenteve dhe diskutimin mbi fatit të viktimave të së shkuarës. Platforma me burime të hapura arsimore 1944-1991 –“Mësojmë nga e kaluara” si dhe Klubi i librit me të njëjtën tematikë, synojnë informimin e mësuesve të arsimit parauniversitar me ngjarje të shkuarës 1944-1991 më qëllim përcjelljen e tyre në brezat e rinj./ata