Fushat në Romës të Mallakastrës janë mbushur me tulipanë, lule në gjininë Tulipa, që përfshin rreth 150 lloje të familjes Liliaceae.

Fation Aliaj nga Romësi i Mallakastrës, pasi emigroi për 9 vjet u rikthye në fshatin e tij dhe për 15 vite ka ndjekur profesionin e të atit në kultivimin e fidanëve të ullirit dhe tulipanëve.

Drejtuesi politik i qarkut të Fierit, njëherësh ministri i Brendshëm, Taulant Balla ndau në rrjetet sociale historinë e suksesit të fermerit Fation Aliaj.

“Fermeri Fation Aliaj nga Romësi i Mallakastrës, pas 9 vitesh në emigrim vendosi të kthehet në vendlindje për të punuar tokën e tij, duke kultivuar fidanë ulliri dhe tulipanë”, shkruan Balla.

Fermeri Aliaj tha se “jam marr me bujqësi, me fidanët e ullirit. Ishte një testim i imi pse të mos bëj diçka ndryshe në Shqipëri si në vendet e tjera, diçka të bukur, sepse jam i bindur shqiptarët e duan natyrën dhe bukurinë”.

“Testova me mbjelljen e tulipanëve dhe pashë që kishte rezultat, por më pëlqejnë edhe lulet sjellin lumturi”, shtoi Aliaj.

Edhe pse tulipanët janë të lidhur me Holandën, si lulja ashtu edhe emri i saj kanë origjinën në Perandorinë Persiane. Ndërsa në Shqipëri “Tulipani shqiptar” (Tulipa albanica) rritet në një lëndinë të caktuar prej 35 ha në fshatin Surroj në bashkinë e Kukësit.

Qeveria shqiptare shpalli në 13 mars 2023  “monument natyre” një specie të veçantë që bën pjesë në speciet e rrezikuara, që quhet “Tulipani shqiptar” (Tulipa albanica)./ata