Kryeministri Edi Rama deklaroi sot për mediet nga Shkodra ku u zhvillua takimi i punës mes qeverisë dhe bashkive të vendit se po punohet  punohet me 5 konvikte të shkollave profesionale për t’i bërë me standardet më të mira në disa bashki të vendit.

I pyetur nga gazetarët lidhur me emigrimin, papunësinë dhe arsimin në Shkodër, Rama tha se, “kishte një kontradiktë që është në fakt shprehje e faktit që këtu nuk jemi në kushtet e rritjes së papunësisë. Këtu jemi në kushtet e rritjes së kërkesës për punonjës. Po jo pra, nuk është rritje e papunësisë kjo, kjo është rritje e vendeve të punës dhe nevojës për të pasur punonjës, të kualifikuar”.

“Tani, së pari një herë, se kjo historia e botës së tretë është bërë pak si qesharake, duhet të kemi parasysh, që po, ne kemi një problem me largimet brenda vendit flas, edhe nga fshati, po nëse shikoni sot përqindjen që zë bujqësia në ekonominë tonë dhe përqindjen që zënë të punësuarit në bujqësi që të gjithë pasqyrat tona të punësimit, ne jemi – dhe kjo nuk është pozitive, s’po e them për pozitive, – por ne jemi me diferencë nga rajoni jonë”, u shpreh Rama.

Pra, shtoi kreu i qeverisë, “largimi drejt qytetit, drejt qendrave është një fenomen i pandalshëm në vendet që zhvillohen dhe nga ana tjetër, nevoja, pretendimi, pritshmëria e më të rinjve për të patur, jo thjesht një punë, por një punë të mirëpaguar, është gjithmonë e më arsyeja  pse një sërë punësh, të cilat nuk mund të mirëpaguhen, ashtu siç kërkojnë ata të cilët nuk pranojnë të punojnë, – bëhen me krahë pune të importuar. Nëse do të shikoni planet e vendeve të zhvilluara si Italia, Gjermania, po ju marr këto që të mos shkoj tek të tjerat, dhe nëse do të shikoni radhën e shteteve evropiane në derën e agjencisë së punësimit në Filipine, është një radhë lufte. Është luftë”.

“Domethënë Evropa është futur në një fazë lufte për krah pune dhe është realisht radhë sepse ata ta thonë, që përpara se të shqyrtojmë kërkesën tuaj, kemi 30 e x shtete që janë në radhë për të shqyrtuar dhe shtete që shkojnë kërkojnë 100 mijë, 120 mijë, 200 mijë punonjës. E njëjta gjë në vendet e Afrikës. Pse i them këto? I them sepse e para, ne kemi një industri manifakture që është edhe këtu në Shkodër, e cila duhet të hyjë në një cikël të ri, sepse nuk ka më sot vajza të reja që kanë gatishmërinë të bëjnë punën që bënin kur ishin të reja  ato gra, që sot janë në moshë për të dalë në pension dhe që kanë kaluar 20 vjet, 30 vjet mbi një makinë qepëse për të ushqyer familjen e tyre në një periudhë të caktuar të kësaj historie, me paga minimale”, u shpreh Rama.

“Dhe kjo do të thotë që manifaktura duhet të ndryshojë dhe për këtë ne kemi edhe paketën e re të mbështetjes për manifakturat dhe për të gjitha kompanitë që duan të hyjnë në një cikël të mbyllur dhe që të prodhojnë me një vlerë që iu lejon të paguajnë paga më të larta”, theksoi Rama.

Për sa i përket shkollave, kryeministri u shpreh se, “kemi diskutuar me kryetarët e bashkive për të kaluar në fazë tjetër të krijimin të kushteve që të kemi shkolla të përqendruara, që të jenë dhe me konvikte. Po punojmë me 5 konvikte të shkollave profesionale për t’i bërë me standardet më të mira në disa bashki të vendit. Do të vazhdojmë me të tjera. Kam parë konviktin e shkollës profesionale jo publike në Rrëshen, që është një iniciativë e kishës por që është një gjë fantastike për nga pikëpamja e pasionit dhe nga pikëpamja e mënyrës sesi është menaxhuar. Por kanë një konvikt që duhet patjetër ndërhyrje dhe ne do t’i ndihmojmë, do gjejmë, po punojmë që të gjejmë formulën e duhur sepse nuk janë shkollë publike, por nuk ka rëndësi”.

Ashtu sikundër, shtoi Rama, “nga ana tjetër është dhe shkolla publike profesionale që edhe ajo ka nevojë që të ketë një konvikt siç duhet, kështu që në këto drejtime këto janë punët që po bëjmë, por të jemi shumë të qartë që ne jemi në një fazë të re zhvillimi dhe këtu kërkesa për punësim, për punëtore, kërkesa për njerëz të kualifikuar vetëm do rritet sepse turizmi tanimë ka hyrë në një fazë shpërthimi dhe kjo do të thotë shumë më tepër mundësi për punësim, patjetër do ketë dhe paga më të larta, nuk diskutohet dhe na duhen njerëz që janë të gatshëm të punojnë. Ashtu sikundër unë besoj shumë që ne kemi hyrë në një fazë që tani mund ta shikojmë, jo shpejtë, mund ta shikojmë në horizont edhe momentin kur shqiptarët që do ikin o jenë më pak se ato që do kthehen”.

“Por që shqiptarë që largohen, kthehen, largohen prapë me këtë duhet të mësohemi të gjithë se nuk jetojmë më në bunker. Është një botë e hapur, shqiptarët janë shumë, kjo është tani me provë, nga çfarë i kemi parë si janë zhvilluar, si janë adaptuar, si kanë ecur në gjithë botën janë qenie që janë qenie kurajoze, janë qenie dinamike, janë qenie që duan të shohin lartë e më lartë. Kështu që, të gjitha këto duhet të na bëjnë të kuptojmë që kjo nuk është një çështje, me këtë mund të bëhet politikë, dakord, ,por nuk e ha njeri këtë sepse kjo s’është një çështje qeverie. Si do i ndaloni ju të ikin? Ne nuk jemi këtu për të ndaluar njeri të iki, ne jemi këtu për të krijuar kushte gjithmonë e më të favorshme dhe mundësi gjithmonë e më të shumta që kush dëshiron të rrijë, të rrijë dhe kush dëshiron të vijë, të vijë, por dikush që do të provojë jetën e vet diku tjetër si do ta ndalojmë të iki?”, tha Rama./ata