Nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, deputet i Partisë Demokratike i ka dërguar sot një shkresë Gjykatës së Apelit ku kërkon përparësi në vendimmarrje për çështjen gjyqësore që lidhet me organet drejtuese të Partisë Demokratike.

Gjekmarkaj në shkresën e tij thekson se Gjykata e Apelit duhet të jetë e qartë se fati i opozitës lidhet drejtpërdrejt me fatin e Shqipërisë

“Prej shumë kohesh një sagë e pandershme luhet mbi fatin Partisë Demokratike, partisë më të madhe të opozitës, në dyer gjykatash e cila si një “patate e nxehtë” kalon sa në një nivel në një tjetër gjykimi duke mos e ndarë ligjërisht atë që është e qartë në gjithçka e për gjithkënd”, shkruan Gjekmarkaj.

“Opozita në çdo vend demokratik është ana tjetër e sistemit, balancuesja dhe kontrolluesja e tij. Anarkia legale për fatin e Opozitës e kompromenton rëndë çdo gjykatës që është marrë me këtë çështje duke mos e zgjidhur atë në mënyrë të qartë e përfundimtare duke bashkuar aktin juridik me vullnetin e anëtarësisë. Së fundmi Gjykata e Lartë përcaktoi me kompetencë dhe profesionalizëm sinoret ku Gjykata e Apelit duhet të mbështetet për ta zgjidhur në mënyrë definitive këtë çështje”, vijon Gjekmarkaj.

“Fati i Opozitës lidhet drejtpërdrejt me fatin e Shqipërisë, me jetën demokratike në vend, me zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit, me parimet universale të një demokracie liberale e funksionale. Kjo çështje nuk mund të zvarritet dhe nuk mund të manipulohet, sepse do të ishte një atentat i mirëfilltë, një puç konstitucional në jetën politike të vendit, një prishje e rregullave demokratike të lojës, ndërhyrje në garën politike në favor të pushtetit, duke denatyruar thelbin e sistemit dhe duke minuar jetën institucionale në vend.

“Duke shpresuar se ju do t’i ktheni legalitetin PD dhe Opozitës si nocion juridik, duke njohur atë që populli dhe qytetarët ja kanë dhenë prej kohësh, ju nderoni togën, sensin e drejtësisë dhe na motivoni për t’ju mbështetur sa më shumë, pa kompromis, në pavarësinë tuaj.”, shkruan Gjekmarkaj.

“E vërteta për Opozitën është e vërtetë për Shqipërinë dhe shtetin ligjor e demokratik. Ajo nuk mund të merret peng. Asnjëri prej jush nuk mund e duhet të jetë kaq guximtar sa ti dëmtojë interesat madhore të Shqipërisë, popullit të saj dhe demokracisë, duke zvarritur një çështje që ka interes madhor publik. Nëse nuk respektohet drejtësia shtetet kthehen në banda të mëdha hajdutësh. Vjedhja e legalitetit të Opozitës do të ishte atentati më i madh ndaj demokracisë shqiptare. Një guxim kësodore nuk duhet ta ketë asnjë qytetar i kësaj Republike që aspiron lirinë, demokracinë, prosperitetin, anëtarësimin në BE dhe forcimin e miqësisë me SHBA-të”, përfundon letra e Gjekmarkaj drejtuar Gjykatës së Apelit.

Çështja gjyqësore për organet drejtuese të Partisë Demokratike u ankimua nga “Rithemelimi” në Gjykatën e Lartë, kjo e fundit e riktheu në Gjykatën e Apelit, ku pritet tashmë dhe vendimi përfundimtar mbi fatin e vulës dhe logos së Partisë Demokratike./ata