Me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave miratoi sot kalimin nga Radiotelevizioni Shqiptar në përgjegjësi administrimit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të pasurive të paluajtshme shtetërore, me emërtimin “Radiostacioni”, me vendndodhje në Xhafzotaj, Bashkia Durrës, për t’u përdorur për krijimin/hapjen e parkut teknologjik dhe shkencor “Durana Tech Park”.
Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, llojet e veprimtarive që do të zhvillohen në këtë park janë: Disenjim software-i. Këtu përfshihet, por nuk kufizohet analiza e kërkesave të sistemeve software, projektimi i arkitekturës dhe disenjim i detajuar i këtyre sistemeve; Zhvillimi dhe mirëmbajtja e sistemeve software. Këtu përfshihet, por nuk kufizohet në programim e sistemeve software, kodimi, instalimi, integrimi i të gjithë komponentëve, dokumentacioni, identifikimi dhe korrigjimi i gabimeve, modifikimet (pas vënies në punë të software-it), mirëmbajtja e të gjithë komponentëve, që përmbushin qëllimin e zgjidhjes së teknologjisë së informacionit; Testimi i software-it. Projektimi dhe zhvillimi i sistemeve të komunikimit; Projektimi dhe zhvillimi i sistemeve të sigurisë dhe zhvillimi i sistemeve të migracionit.
Gjithashtu aty parashikohet analiza e sistemeve të përpunimit dhe analiza e sasive të mëdha të të dhënave, të quajtura si Big Data. Mbi bazën e këtyre të dhënave mund të ndërtohen modele, të cilat, më pas, me përdorimin e inteligjencës artificiale mund të shfrytëzohen për aktivitete biznesesh të ndryshme.
Konsulencë për përdorimin e teknologjisë së informacionit për qëllime të inovacionit (riinxhinierimit) të proceseve të biznesit me zhvillimin e kërkesave teknike për sistemet e informacionit dhe software; konsulencë për mbrojtjen teknike dhe kriptografike të informacionit, duke përfshirë përdorimin e nënshkrimit elektronik digjital si dhe konsulencë në auditime.
Gjithashtu aty do të kryen kërkime në fushën e komunikimit. Kërkime në fushën e zhvillimit të programeve inovative. Kërkimi dhe zhvillimi në fushën e robotikës. Projektimi (inxhinierimi), kërkimi, testimi i aktiviteteve që përfshijnë teknologjitë robotike, pajisjet dhe sistemet që përdorin sisteme të kompjuterizuara kontrolli.
Vendimi përcakton që, Korporata e Investimeve Shqiptare, sh.a., brenda 150 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të paraqesë në ministrinë përgjegjëse për ekonominë, planin e zhvillimit tё detajuar. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., për zbatimin e kësaj pike.
Vendimi përcakton lehtësitë rregullatore dhe fiskale që përfitohen pas plotësimit të kushteve dhe procedurave të parashikuara në legjislacionin në fuqi për parqet teknologjike dhe shkencore.
Ngarkohen ministria përgjegjëse për Ekonominë, ministria përgjegjëse për Infrastrukturën dhe Energjinë, Korporata e Investimeve Shqiptare sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi./ata