50-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Meksikës është shënjuar përmes një skulpture të krijuar me këtë rast. Vepra e artit u inaugurua në kuadër të Javës Kulturore Meksikane dhe është një skulpturë e zhanrit alebrije e titulluar “Fëmija Monarka”.

Vepra konsiston në krijimin e një skulpture që përfaqëson një dhi shqiptare dhe një flutur shtegtuese monarke. Vepra ka për qëllim të simbolizojë miqësinë mes dy vendeve përmes dy elementëve të faunës së tyre.

Dekori i saj është realizuar me ngjyra akrilike dhe përfaqëson disa motive nga traditat e të dy vendeve, si elemente të artizanatit e xhubletës shqiptare, sipas interpretimit të artistit Ricardo Macías dhe qëndisja otomi meksikane.

Irena Prici, drejtore e politikave të zhvillimit të kulturës deklaroi për mediet se, Meksika është një shtet i ri që i është bashkuar Javës Kulturore. “Me Meksikën na bashkon trashëgimia e pasur kulturore por edhe çështja e emigracionit”, është shprehur Prici. Edhe sipas atasheut kulturor të Meksikës, Hektor Alcantara, mënyra më e mirë për të afruar dy popuj është aspekti kulturor./ata