Shqipëria shënon 15 vite e anëtarësuar në organizatën më të fuqishme të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Me këtë rast grupi i Rithemelimit të Partisë Demokratike nderon këtë arritje madhore për vendin, duke vënë në dukje se u realizua gjatë qeverisjes demokrate nën drejtimin ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Për të nderuar këtë ditë, në fasadën e selisë së PD, është vendosur një baner 23 metra i gjatë dhe 6 metra i gjerë.

Anëtarësimi në NATO shënoi një kthesë të rëndësishme për sigurinë e vendit, duke e renditur atë në krah 32 vendeve të tjera, thekson grupimi i Rithemelimit të PD.

Pas ftesës në Bukuresht më 3 prill 2008, Aleanca e Atlantikut të Veriut me datën 1 Prill të vitit 2009, në një vendim historik, pranoi Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota të saj.

Për shqiptarët, pas 5 dekadash diktaturë, ky akt përbën arritjen më madhore në fushën politike dhe atë të sigurisë kombëtare pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, përfundon grupi i Rithemelimit të PD./ata