Deputeti i Partisë Socialiste Vullnet Sinaj reagoi sot pas kërkesës së PD-së për heqjen e mandatit të tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, me pretendimin se “ka përfituar para nga buxheti i shtetit përmes bizneseve të tij”.
“Mësova me habi dhe jo pa humor, kërkesën për mocion të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Gjobëvënësit mediatikë e përsërisin këtë këngë gjinkallash nga viti 2017. Por, surpriza është që thashethemet e portaleve përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike”, u shpreh Sinaj në një reagim në rrjetet sociale.
Sinaj theksoi se nga viti 2017 ka dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të tij, duke iu përkushtuar vetëm politikës.
“Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi. Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet”, u shpreh ai.
Për më tepër, Sinaj theksoi se dhuron prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as i shkon mendja të përfitojë financiarisht nga buxheti i shtetit./ata