Në një mbledhje të kabinetit mesditën e së premtes kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të njoftojë rritjen përsëri të pagës minimale e cila do të nisë të zbatohet nga 1 prilli. Rritja pritet të kalojë shifrën prej 6% për të qenë më e lartë se inflacioni dhe vlerësohet se do ta sjellë Greqinë edhe pak më lart në renditjen europiane të pagave minimale.
Ekzistojnë dy skenarë bazë për përcaktimin e pagës minimale. Për momentin ajo është 780 euro bruto. Skenari bazë sjell një rritje prej 6% në nivelin 830 euro dhe skenari i dytë në 840 euro.
Por ajo që ka rëndësi është se çfarë ndryshimesh sjell kjo rritje në pagën neto për të paktën 600,000 punëtorë me pagë minimale.
Për momentin paga minimale neto është 667 euro deri në fund të marsit. Nëse rritja do të jetë në nivelin 830 apo 840 euro bruto kjo do të korrespondojë me 706 ose 713 euro neto.
Paga minimale prek edhe 19 përfitime që kanë ndikim të drejtpërdrejtë buxhetor, qoftë asistenca për të papunët , programet e ndryshme të punësimit apo edhe përfitimi për gratë shtatzëna .
Kujtojmë se kjo është rritja e katërt në pothuajse pesë vjet. Në vitin 2019 paga minimale ishte 650 euro dhe sot është 780 euro.