Ministri i Mbrojtjes i Türkiye-s, Hulusi Akar, ka bërë të ditur se vendi i tij po bën përpjekje për të zgjatur iniciativën e Drithërave të Detit të Zi, të cilës i mbaron afati më 18 mars.
Marrëveshja e drithërave siguron një kalim të sigurt të drithërave dhe sendeve të tjera thelbësore përmes porteve të Detit të Zi të Ukrainës, duke parandaluar një krizë globale ushqimore.
Akar tha se deri më tani të paktën 790 anije të ngarkuara me drithëra u larguan nga Ukraina duke transportuar afër 23,5 milionë tonë drithëra.
Në muajin korrik të vitit të kaluar, Türkiye, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt të vitit 2022.
"Ne vazhdojmë negociatat tona me OKB-në, Ukrainën dhe Rusinë, të cilat janë palë në iniciativën e grurit. Ukraina shprehu një mendim pozitiv për një zgjatje të dytë të iniciativës. Ngjashëm edhe Rusia ka një qëndrim pozitiv ndaj zgjatjes së iniciativës. Ne gjithashtu shpresojmë dhe presim që iniciativa e drithërave do të vazhdojë me kontributin e të gjitha palëve. Ne vazhdojmë përpjekjet tona në këtë drejtim", tha Akar./AA