Qeveria synon të investojë të paktën 1.6 miliardë lekë, apo 15 milionë euro, për të mbështetur sipërmarrjet invovative për periudhën 2024-2030. Një strategji e nxjerrë për konsultim nga Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit parashikon nëntë masa prioritare.

“Strategjia Shqiptare e Sipërmarrjes synon të formësojë ekosistemin sipërmarrës të inovacionit të hapur në Shqipëri.

Është investim shqiptar për të ardhmen e ekonomisë së vendit, duke ndjekur rrugën e Specializimit Inteligjent, qasjen më të fundit për qeverisjen e ekosistemit dhe menaxhimit të njohurive. Ajo orienton Shqipërinë në ristrukturimin e ekonomisë së saj drejt një ekonomie të bazuar në njohuri, të gjallë dhe konkurruese, të orientuar nga eksporti.

Strategjia fokusohet në qasjen e ekosistemit kombëtar, ku një grup kompleks mekanizmash të përshkruar do të çojë në krijimin e një rrjeti shumështresor aktorësh që janë sinergjikë në vlerat, objektivat dhe qëllimet e tyre. Që një rrjet i tillë heterogjen të funksionojë, është i nevojshëm një kontribut i të gjithë aktorëve të ekosistemit” thuhet në dokument.

Por cilat janë në fakt masat priortare që synon të mbështesë kjo strategji për të arritur objektivat sa i takon zhvillimit të sipërmarrjeve inovative? Janë të paktën nëntë të tilla ku së pari ngritja e qeverisjes së ekosistemit dhe bashkërendimi dhe harmonizimi i angazhimit të aktorëve.

Së dyti hartëzimi dhe diagnostikimi i vazhdueshëm i ekosistemit dhe programeve të rritjes. Së treti ndërtimi i infrastrukturës së inovacionit, fizike dhe virtuale. Po kështu ndërtimi i reputacionit ndërkombëtar të ekosistemeve.

Së pesti, ndërtimi i instrumenteve të financimit. Së gjashti, tërheqja e fondeve ndërkombëtare dhe investitorëve nga diaspora, së shtati programet kryesore të rritjes, së teti nxitja e sipërmarrjes akademike, së nënti përmirësimi i politikës për sipërmarrjen dhe talentin e grave.

Strategjia synon që fillimisht mbështetja të vijë nga fondet publike për të krijuar modele dhe më pas kjo të shërbejë si një nxitje për përfshirjen e sektorit privat por edhe fondeve ndërkombëtare dhe atyre nga diaspora.

Dokumenti është i harmonizuar edhe me dokumente të tjerë siç është Strategjia e Specializimit Inteligjent(S3) e cila ka edhe sektorët prioritarë në fokus ku të paktën gjashtë cilësohen si të tillë duke nisur nga agrobiznesi tek energjia, turizmi, TIK-u, prodhimi apo BPI-të.

Ndryshe nga S3, Strategjia për sipërmarrjet inovative sipas qeverisë, shkon përtej çdo sektori dhe përfshin mision kombëtar që promovon ide të reja të rëndësishme për kulturën inovative dhe krijon mjedisin për zhvillimin e startup-eve dhe ndërkombëtarizimin e tyre./Monitor