Mbreshtani, i shndërruar në fshat turistik falë investimit në liqen dhe parkut rreth tij është lehtësisht i aksesueshëm tashmë.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau në rrjetet sociale pamje nga rruga e asfaltuar në Mbreshtan.
“Përfunduam sot asfaltimin e 700 metrave linear. Rruga për të shijuar një bukuri të natyrës mbi të cilën nuk ishte vënë asnjëherë dorë, është literalisht e shtruar”, theksoi Demo.
Kryebashkiaku Demo u shpreh se “është një punë bazike, por që lehtëson jetën e rreth 80 familjeve të zonës, por edhe çdo qytetari të Beratit apo turistëve të shumtë që do vizitojnë liqenin”.
Në liqenin e Mbreshtanit po kryhen punime për rivitalizimin e tij, duke e kthyer atë në një atraksion turistik dhe pikë takimi me natyrën.
Ky projekt përfshin shtimin e gjelbërimit dhe pedonalen e re rreth e përqark, për t’i bërë shëtitjet e qytetarëve edhe më të këndshme./ata