Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi një takim me të rinjtë e Bordit Këshillimor të Adoleshentëve (UNICEF).
 
Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu tha se “gjatë takimit me Deborën, Matildën, Redin, Kjarën dhe Jonas, ndamë ide mbi kontributin e tyre për hartimin dhe zbatimin e Strategjisë së Mbrojtjes Sociale për periudhën 2024-2030, si hapi i parë dhe më thelbësor për një shoqëri më solidare”.
 
“Të rinjtë kanë një kontribut dhe rol të veçantë në ndihmë të grupeve të cënueshme përmes vullnetarizmit dhe aktivizimit në komunitet. Roli i punonjësve të rinj socialë në shërbimet sociale në çdo bashki është domosdoshmëri për të ofruar shërbime sociale cilësore për çdo qytetar”, theksoi Koçiu.
 
Ministrja Koçiu u shpreh se “strategjia e Mbrojtjes Sociale për periudhën 2024-2030 ka në fokus rritjen e mbështetjes për qytetarët në nevojë; riintegrimin, aftësimin dhe punësimin e tyre; mbështetjen direkte financiare për fëmijët dhe përfshirja e tyre në programe të ndryshme; si edhe zgjerimin e shërbimeve të kujdesit social, duke thelluar shërbimet komunitare dhe parandaluese për të zvogëluar institucionalizimin dhe fuqizuar familjet për t’u kujdesur për fëmijët e të moshuarit”./ata