Për herë të parë në Institutin e Shëndetit Publik, ka nisur kryerja e analizave të thella gjenetike për viruset respiratore si SARS-CoV-2, Grip dhe RSV, testime që treguan rëndësi të veçantë gjatë pandemisë së COVID-19.
Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Ministrja theksoi se, kjo është teknika më e lartë për survejancën dhe diagnozën genomike që mundëson identifikimin dhe dhënien e një përgjigje të shpejtë dhe në kohë të shkurtër të qarkullimit të viruseve që kanë transmetueshëmri të lartë apo kanë rrezikshmëri më shumë se të tjerët.
Deri më tani janë kryer 118 testimet e para nëpërmjet dy pajisjeve të sekuencimit në ISHP, mundësuar në kuadër të investimeve për fuqizimin e kapaciteteve loboratorike në aparatura të tekonologjisë bashkëkohore, nënvizoi Koçiu.
Në videon e shpërndarë nga Koçiu, një prej mjekeve të ISHP u shpreh se “në ISHP ka filluar analiza në nivel të thellë gjenit sa i përket virusit SARS-CoV-2 që shkaktoi pandeminë e COVID-19-ës. prej fillimit të shkurtit janë analizuar një sërë kampionesh, të cilat tashmë mundësia e dhënies së një përgjigje me të shpejtë është shkurtuar. Jemi duke u përgatitur në lidhje me sekuencimin apo analizën e fortë genomike të virusit të gripit”.
Ndërsa doktoreshë Silva Bino u shpreh se, “vendosja në laboratorin të analizës genomike të viruseve, pra ne fillojmë me SARS-CoV-2, por do të vazhdojmë me gripin dhe pastaj edhe me viruse të tjerë, të cilët qarkullojnë në vend. Është një arritje tepër e rëndësishme për shëndetin publik të vendit, pasi në një kohë mjaft të shkurtër ne mund të identifikojmë agjentët patogjenë, të cilët kanë transmetueshmëri të lartë, apo janë më të rrezikshëm se të tjerët”./ata