Aktori i njohur dhe shumë i dashur për të gjithë, Reshat Arbana, iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë, por me sukses falë profesionalizmit të mjekëve tanë.
Kështu deklaroi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
“Ekipi mjekësor kreu ndërhyrjen përmes një terapie moderne të insufciencës kardiake, duke vendosur tre sonda elektrike në zemer që realizon sinkronizimin e tkurrjes së muskulit të zemrës në tërësi dhe që përmirëson funksionin e zemrës dhe cilësinë e jetës”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “ndërhyrja delikate u realizua nga ekipi i mjekëve kardiologë dhe infermierore të Spitalit Universitar “Nënë Tereza”, Dr. Shk. Ormir Shurdha, Dr. Mirald Gina dhe infermiere Antuela Shkëmbi dhe Xhoana Xhanaku”.
Ministrja Koçiu vizitoi aktorin e njohur pas ndërhyrjes që kreu në QSUT.
Dr.Ormir Shurdha tha se “kjo metodë moderne e trajtimit të insuficencës kardiake realizohet përmes vendosjes së tre sondave në zemër, të cilat sinkronizojnë zemrën si një e tërë duke rritur funksionin e zemrës dhe rritjen e cilësisë së jetës”.
“Një emocion për mua si mjek ishte se pacienti ishte një ndër aktorët më të mëdhenj të skenës”, thaShurdha.
Aktori i madh, “Artisti i Popullit” Reshat Arbana ka interpretuar rreth 35 personazhe në filma dhe teatër./ata