Rëndësia e akreditimit si një rol vendimtar në rritjen e sigurisë ushqimore, bëri bashkë në një tryezë të rrumbullakët, në Ditën Botërore të Akreditimit, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit.
Kjo ishte një mundësi për të diskutuar rëndësinë e akreditimit në garantimin e cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit në të gjithë sektorët e Bimëve Mjekësore Aromatike dhe fruta-perimeve.
Me mbështetjen e SECO (Qendra e ekspertizës zvicerane për çështje ekonomike) dhe GQSP Albania (Organizata e Kombeve të Bashkuara për zhvillim industrial) po punohet për forcimin e sistemit të infrastrukturës së cilësisë.
Promovimi i rëndësisë së akreditimit dhe veçanërisht rëndësisë së të pasurit laboratorë të akredituar në Shqipëri vë në fokus rolin e akreditimit si vendimtar në rritjen e sigurisë ushqimore dhe garantimin e përputhjes me standardet ndërkombëtare.
Industria e bimëve mjekësore dhe aromatike bashkë me fruta perimet, kanë shënuar një trend në rritje vitet e fundit në vendin tonë, sa i takon prodhimit dhe eksporteve duke u kthyer në një burim të ardhurash për mijëra familje.
Rritja e eksporteve të këtyre prodhimeve është një ndër prioritetet e politikave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku padyshim akreditimi i laboratorëve që certifikojnë cilësinë e tyre është faktor kyç në zgjerimin e shitjeve në tregje me vlerë të shtuar.
Shqipëria ka qindra bimë mjekësore dhe aromatike që rriten kryesisht në zonat malore të vendit, ndërkohë prodhimi perimeve në fushë dhe serra po siguron një furnizim gjithëvjetor me këto produkte që janë mjaft të kërkuara edhe në eksporte./ata