Ministri i Brendshëm Taulant Balla së bashku me ministren e Mjedisit Mirela Kumbaro vizituan fabrikën “Kurum”, në Elbasan, për të parë nga afër zbatimin e masave të nevojshme për mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e gjithë kuadrit ligjor në këtë veprimtari.

“Kjo njësi prodhimi dhe përpunimi ka qenë gjithmonë një njësi që ka pasur ankesa nga banorët në vitet e kaluara, e më vjen mirë të konstatoj bashkë me dy drejtoritë, që investimet e bëra të cilat duhet të vazhdojnë. Kanë garantuar pikë së pari një ulje dhe një kontroll të ndjeshëm të emetimit të gjithë gazrave, të cilat shkaktojnë ndotje. Është e largët dita, për shembull para dhjetë viteve, kur Elbasani për ata që ngjisnin Kërrabën e shikonin si tymi që ishte si një re e madhe dhe që ishte gjithmonë shqetësim për të gjithë banorët”, konstatoi ministri Balla.

Ai shtoi se ishte pozitive që sipërmarrja është vetëndërgjegjësuar dhe ndër vite ka investuar duke aplikuar dhe teknologjitë më të mira të standardeve më të mira evropiane.

“Një nga problematikat që ne hasim gjithmonë jo vetëm me ju, por me sipërmarrjet e këtij lloji, përfshirë këtu dhe njësi prodhimi betoni etj. me radhë, që lidhen me automjetet që hyjnë këtu dhe pastaj bëjnë transportin e prodhimit apo transportin të lëndës së parë në rrugë të tjera që gjithmonë sjell ndotje të të gjitha formave”, u shpreh Balla.

Duke folur në vetë të parë, ai tha se është dëshmitar i këtij ndryshimi.

“Kam qenë shpesh këtu vite më parë, dhe më vjen mirë që vetë ndërgjegjësimi është bashkë-shoqëruar dhe me një prej kushteve që ka vendosur Agjencia jonë e Mjedisit që lidhet me investimin në pjesën e gjelbërimit. Është një pamje që unë që kam qenë shumë shpesh më vjen mirë të konstatoj që tashmë brenda “Kurumit” kemi një park të gjelbër, por unë e kam për zakon nuk kam ardhur këtu t’ju bëj qejfin, por kam ardhur këtu bashkë me kolegen time Mirelën, e para, të mbështesim Agjencinë e Mjedisit dhe e dyta, është që të garantojmë një Elbasan edhe më të pastër dhe që të përmbushi të gjitha standardet më të mira të cilësisë së ajrit”, deklaroi kreu i Ministrisë së Brendshme.

Më tej, Balla tha se, janë zgjidhur disa prej problemeve madhore që ka pasur Elbasani me ndotjen.

“Por duhet të bëjmë çdo përpjekje për ta përmirësuar dhe konsoliduar më tej këtë standard. Kryeministri ynë e thotë gjithmonë që progresin e arritur duhet ta bëjmë të pakthyeshëm, kështu që edhe në këtë aspekt sa i përket progresit të arritur nga kompania juaj do ta bëjmë të pakthyeshëm sepse nganjëherë ndodh që dikush ndez apo fik filtrat natën edhe punohet pa filtra natën për të ulur kostot por kjo nuk duhet të ndodhi”, nënvizoi ministri, duke mbështetur kontrollet periodike që duhen ushtruar nga dy institucionet.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit po zhvillojnë ndërkohë kontrolle të përbashkëta në gjithë territorin për mbrojtjen e mjedisit./ata