Në drejtimin e kryetares Mimi Kodheli, Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot mbledhjen e radhës në platformën online ‘Zoom’, ku u shqyrtuan tre projektligje. Komisioni shqyrtoi fillimisht Projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, për Mbrojtjen Shoqërore”.
E ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishte zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, e cila u shpreh se, në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribut pavarësisht ku ka punuar pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dyja vendet.
“Marrëveshja konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë”, nënvizoi Manjani.
Relatori i çështjes, Blendi Klosi, u shpreh se, marrëveshja ndihmon të drejtat e qytetarëve dhe është në vijim të shumë marrëveshjeve të arritura me vendet e Bashkimit Evropian ndërsa ftoi kolegët të miratojnë këtë projektligj.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
Mbledhja e Komisionit për Politikën e Jashtme vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë 2021-2027”.
Ky projektligj u prezantua nga drejtori i Drejtorisë së Konvergjencës dhe Kohezionit me BE-në, Altin Zeqo, i cili nënvizoi se, programi ka për qëllim nxitjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, inkurajimin e integrimit në BE dhe kërkon të ketë kontribut në zhvillimin social, ekonomik dhe territorial në zonat ndërkufitare nëpërmjet përmirësimit të mbrojtjes dhe ruajtjes së burimeve mjedisore, zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm kulturor dhe natyror.
Relatori i çështjes, Bardhyl Kollçaku, u shpreh se me këtë marrëveshje përfitojnë të dy vendet ndërsa ftoi kolegët të votojnë pro këtij projektligji.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet palëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore për Shkëmbimin e Automatizuar të të Dhënave të ADN-së, Daktiloskopike dhe të të Dhënave të Regjistrimit të Automjeteve, të ratifikuar me ligjin nr.13/2019”.
Projektligji në fjalë u prezantua nga Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili u shpreh se, kjo nismë ligjore vjen si pjesë e diskutimeve me Komisionin Evropian dhe se marrëveshja e vitit 2019 tashmë bëhet e zbatueshme, pasi i mundëson vendeve anëtare të shkëmbejnë të dhëna të rëndësishme për hetimin penal që lidhen me të dhënat e ADN-së, regjistrimin e automjeteve dhe të dhënat e gishtërinjve.
Relatori i çështjes, Petro Koçi, nënvizoi se, prevalon legjislacioni evropian në fushën e shenjtë të mbrojtjes së të dhënave personale. “Vendet e BE janë të detyruara të respektojnë standardin e BE në marrëveshjen e nënshkruar mes palëve që janë në Konventën e Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore. Sekretariati i kësaj Konvente i ka kërkuar vendeve anëtare që të aprovojnë protokollin ndryshues që e ka kërkuar BE për vendet anëtare. Indirekt plotëson standarde evropiane për vende si Shqipëria që janë pjesë e integrimit evropian, por ende nuk janë vende të BE-së”, u shpreh Koçi.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë./ata