Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bën apel për të mbështetur dhe përkrahur fëmijët me çrregullime të spektrit autik dhe prindërit e tyre.

“Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin na rikujton rolin dhe kontributin e çdo njërit prej nesh për të mbështetur, përkrahur dhe për të falur sa më shumë dashuri për fëmijët me çrregullime të spektrit autik dhe prindërit e tyre”, shkruan ministrja Koçiu në një postimi në rrjetet sociale.

Koçiu bën thirrje për t’i shndërruar hapësirat komunitare në vende sa më miqësore për këta fëmijë që të mund të zhvillojnë talentin dhe potencialin e tyre.

“Nëpërmjet Fondit Social, MSHMS ofron shërbime të specializuara për fëmijët me çrregullime të spektrit autik dhe shërbime të specializuara në banesa”, nënvizon ministrja.

Ajo shton se MSHMS do të vijojë të rrisë shërbimet socio-shëndetësore për diagnostikimin dhe trajtimin në kohë të fëmijëve me probleme të tilla shëndetësore.

Gjithashtu, Koçiu ka publikuar edhe mesazhin e një nëne drejtuar gjithë prindërve që kanë një fëmijë me çrregullime të spektrit autik.

“Unë jam mami i Soirdios dhe jam me shumë fat që kam një djalë të talentuar si Soirdios, sepse talentin e tij nuk e zbeh as autizmi dhe asgjë tjetër. Sot në datën dy prill që është edhe Dita e Ndërgjegjësimit të Autizmit, do doja të jepja një mesazh për të gjithë prindërit që kanë një fëmijë me autizëm. Do doja t’u thoja atyre prindërve që të bëhen të fortë, ta pranojnë këtë gjë dhe të vazhdojnë me terapi dhe çfarë duhet bërë për këto fëmijë. Të falin sa më shumë dashuri, gjë për të cilën ato kanë më shumë nevojë”, shprehet ajo.

Ajo i drejton një mesazh edhe gjithë shoqërisë, që t’i pranojë këta fëmijë, mos t’i bullizojnë, sepse ndjehen shumë të papranuar.

“Mesazhi im tjetër vjen për shokët dhe shoqet e klasës së këtyre fëmijëve dhe të mësuesve të lëndëve dhe të gjithë shkollës. T’i pranojnë dhe t’i ndihmojnë këta fëmijë aty ku ata kanë nevojë, që t’ua bëjnë sa më të lehtë qëndrimin në shkollë, në kopsht dhe kudo që këto të jenë”, apelon nëna e Soirdios./ata