në selinë qendrore të Aleancës në Bruksel, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, nënvizoi domosdoshmërinë që NATO mos të largojë vëmendjen nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, pasi kjo kontribuon në paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Duke iu referuar angazhimit të Kryeministrit Rama në samitin e Vilniusit, mbi shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen, ministri Hasani tha se, kuota prej 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, është niveli minimal i angazhimit të deklaruar dhe jo maksimumi i tij.

3 vjet nga agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, ministri Hasani theksoi mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Ministrat pjesëmarrës trajtuan progresin e vendimeve të marra në Samitin e Vilniusit, të cilat synojnë që NATO të vijojë të ruajë paqen, të parandalojë konfliktet dhe të mbrojë popullatën dhe vlerat e vendeve aleate, si dhe prioritetet e Samitit të Uashingtonit, i cili do të mbahet në korrik të këtij viti.

Ky ministerial është i parë në nivel të Ministrave të Jashtëm, me pjesëmarrjen e Suedisë në cilësinë e vendit aleat, duke çuar Aleancën në 32 vende aleate.

Po ashtu, ky takim përkon me 75-vjetorin e themelimit të NATO-s dhe me 15-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në Aleancën Euro-Atlantike./ata