Drejtuesja politike e PS-së për qarkun e Shkodrës vlerësoi sot punën e bërë nga Kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj.

 

Në takimin elektoral për prezantimin e Marinaj si kandidat i PS-së për Bahkinë e Malësisë së Madhe në zgjedhjet e 14 majit, Spiropali tha se “Marinaj ka bërë për atë që nuk është bërë me dekada me parë në Bajzë, Kastrat, Tamarë e kudo në Malësi të Madhe. Janë bërë investime të cilat kanë lënë gjurmë dhe kanë përmirësuar jetën e qytetarëve”.

 

“Tonin punon çdo ditë dhe është i lidhur me çdo punë. Investimet që janë bërë në rikualifikimin urban, infrastrukturë arsimore, rrugë rurale dhe në qytetet që e kanë bërë Malësinë e Madhe destinacion turistik me potencial të madh zhvillimor. Tonin nuk është fjalë shumë, por punë shumë, i besës, i drejtë. Ai ka gjetur mbështetjen e Kryeministrit dhe të qeverisë për ta çuar përpara Malësinë e Madhe e për të mos e kthyer më pas”, tha Spiropali.

 

Sipas saj, falë këtyre investimeve është mëse e dukshme si ishte dhe si është sot Malësia e Madhe apo Puka që kanë patur administratorë të ndershëm.

 

“Dhe ne nuk duhet të kthehemi pas. Kryeministri e ka vëmendjen te Malësia e Madhe dhe sheh te kjo zonë një mundësi të madhe për të vazhduar investimet dhe për të sjell më shumë investime në turizëm dhe agroturizëm që mundësojnë punësim, ekonomi dhe zhvillim”, shtoi ajo.

 

Spiropali tha se “kemi përballë dy hije të së shkuar që duan të fitojnë bashki për t’i patur dhe mbajtur pengje, për të negociuar për të ardhmen e tyre. Ata luftojnë për familjet e tyre pasi kanë halle me SHBA dhe Anglinë, dhe ne nuk do kthehemi pas te e shkuara politike për dy metra katrorë të Metës dhe Berishës, por do të ecim përpara”.