Komiteti Drejtues Kombëtar i Partisë së Lirisë miratoi dje 5 prioritetet kryesore për 10 vitet e ardhshme të Partisë së Lirisë të cilat përfshijnë ndër të tjera edhe ndalimin e shpopullimit.
Po ashtu këto prioritete kanë në fokus rritjen e pensioneve mbi nivelin e mesatares së rajonit brenda një mandati qeverisës; arsimin dhe investimin tek kapitali njerëzor; bujqësinë, ushqimin dhe uljen e kostos së jetesës; si dhe ambicien për shndërrimin e Shqipërisë në fuqi eksportuese.
Në një deklaratë për medie Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh se projekti ynë madhor është që në 20 vitet e ardhshme, Shqipëria të ketë 4 milion qytetarë shqiptarë rezidentë.
“Për këtë, në projektin e Partisë së Lirisë, do të realizojmë: ndalimin e menjëhershëm të shpopullimit, gjenerimin e rritjes më të lartë ekonomike, përmirësimin e jetesës dhe uljen e kostos së saj, paga më të larta, me mundësi strehimi e krijimi familjeje, si dhe me cilësi më të lartë të shërbimeve publike të arsimit dhe shëndetit publik”, u shpreh Blushi.
Ai renditi po ashtu masat konkrete që duhet të ndërmerren për realizimin e këtyre objektivave të cilat përfshijnë dyfishimin e pensionit dhe të pagave të mësuesve dhe mjekëve si dhe rritjen e nivelit të pagave për punonjësit mbi mesataren e rajonit.
Po ashtu, Blushi u shpreh se propozohet mbështetja e aktiviteteve prodhuese, në fushën e IT dhe inovacionit në masën 10000 euro për start-upet dhe tax-free për 5 vite./ata