Mbledhja e Komisionit të Etikës, Boçi: Rama nuk ka ardhur, ka lëshuar zarat e tij

 

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi pas mbledhjes së sotme të Komisionit të Vlerësimit dhe Etikës ku po diskutohej mbi kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e 8 deputetëve demokratë është shprehur se çdo gjë që po bëhet është e paligjshme.

 

Boçi ka thënë se mbledhja ishte jashtë afateve, pasi pas dorëzimit të kërkesës nga PS duhej të kalonin maksimumi 48 orë

 

Deputeti demokrat ka thënë se deputetët mund të dalin para foltores dhe PD nuk e ka bllokuar atë. Çfarë do të bëjë PD në të ardhmen është e drejta e tyre dhe kjo e drejtë nuk mund të mohoet.

 

“Kemi kërkuar që ky gjyq politik të zhvillohet i hapur ndaj mediave, me qëllim që opinioni publik të dëgjojë argumentet. Në vazhdën e synimeve, po vijon një terror i parapare. Kërkohet të fiket zëri i qytetarëve. Kërkohet që ky zë mos të transmetohet, ndërkohë që rregullorja e ka përcaktuar hapur se mbledhjet bëhen të hapura. Kemi kërkuar që të respektohet etika dhe rregullorja nga sekretariati, që e ka bërë antietik mbledhjen. Në momentin e dorëzimit të kërkesës, kërkesa shqyrtohet brenda 48 orëve. Të gjitha bëhen me urdhra politike. Është matematikë e Edi Ramës, që opozitës t’i fiket zëri. E drejta jonë është refuzuar në vazhdimësi. Deputetët mund të dalin në grup përballë foltores. Nuk kemi bllokuar foltore. Do vazhdojmë apo jo të bllokojmë foltore, kjo nuk është pyetja e duhur. Kjo e drejtë nuk mund të na mohohet. Do gjejmë të gjitha rrugët për të thënë fjalën tonë. Rama është trembur, nuk ka ardhur dhe ka lëshuar zaret e tij. Jemi sot para një gjyqi politik dhe e telefonatave, ku ai i jep urdhrat nga kamarja ku është futur.”, tha Boçi.