Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka thirrur ambasadoren izraelite, Tzipi Hotovely, lidhur me vrasjen e punonjësve të ndihmës në Rripin e Gazës.

“Unë parashtrova pa mëdyshje dënimin e qeverisë për vrasjen e tmerrshme të shtatë punonjësve të ndihmës së ‘World Central Kitchen’, duke përfshirë tre shtetas britanikë”, tha në një njoftim Andrew Mitchel, ministri i Shtetit për Zhvillimin dhe Afrikën.

Mitchell tha se ai kërkoi një “hetim të shpejtë dhe transparent, të ndarë me komunitetin ndërkombëtar, si dhe përgjegjësi të plotë”.

“Përsërita nevojën që Izraeli të vendosë menjëherë dhe urgjentisht një mekanizëm efektiv de-konflikti për të rritur qasjen humanitare. Ne duhet të shohim një pauzë të menjëhershme humanitare, të dërgojmë ndihmën dhe pengjet të lëshohen, pastaj të përparojmë drejt një armëpushimi të qëndrueshëm”, tha Mitchell.

Më herët, organizata joqeveritare ‘World Central Kitchen’ njoftoi se shtatë nga punonjësit e saj të ndihmës humanitare u vranë dje në sulmin ajror izraelit në Rripin e Gazës.

Shtatë punonjësit e organizatës joqeveritare me bazë në SHBA, që u vranë dje, ishin shtetas të Australisë, Polonisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Palestinës, si dhe një shtetas i dyfishtë amerikano-kanadez.

Pas “sulmit të shënjestruar”, ‘World Central Kitchen’ tha se po ndalon operacionet në rajon.

Përveç vrasjes së të paktën 33 mijë palestinezëve që nga 7 tetori, ofensiva izraelite në Rripin e Gazës fajësohet për kushtet afër urisë në mesin e mbi 2 milionë palestinezëve atje dhe për sulmet që vranë si punonjësit e ndihmës ashtu edhe civilët që kërkonin ndihmë humanitare./aa