Në Shqipëri është hapur panairi i punës dhe aftësive, ku do të prezantohen ofertat e ndryshme të punësimit nga institucionet, kompanitë dhe programet e studimit nga institucionet arsimore.
Panairi organizohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ndërsa pjesë e tij janë dhjetëra kompani dhe institucione, ku gjatë dy ditëve do të prezantojnë ofertat e tyre të punësimit dhe mundësitë e tjera për të rinjtë, sidomos sa i përket programeve të studimeve.
Pjesë e panairit është edhe universiteti i Fondacionit Turk Maarif, Universiteti i New Yorkut në Tiranë, i cili do të prezantojë programet e studimit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj përshëndetëse në ceremoninë e hapjes së panairit tha se panairi do të jetë një mundësi që të rinjtë të njihen me ofertat e punës që do të promovohen.
"Patjetër që ky është një moment i rëndësishëm për të ndarë atë se çfarë ne jemi duke bërë për sa i përket mbështetjes së të rinjve, për sa i përket dimensionit evropian të ofertës universitare, mbështetjes së talenteve dhe prirjeve të të rinjve. Gjithashtu dhe sa i përket investimit që ne jemi duke bërë në të gjithë sistemin arsimor", u shpreh Manastirliu.
Ministrja Manastirliu theksoi se shpreson që këto dy ditë të panairit përpos shkëmbimit të informacionit, të mund të jenë ditë ku të ketë një vlerësim të potencialeve të tregut.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, në fjalën e tij tha se panairi është një aktivitet që shkon pranë kërkesës dhe ofertës.
"Ofertat dhe mundësitë për punësim janë të mëdha. Sot në panair ofrohen dy mijë vende pune në profesione të ndryshme", u shpreh Jaka.
Panairi që mbahet në datat 3-4 prill, organizohet nën kujdesin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, me mbështetjen e disa ministrive të Shqipërisë dhe institucioneve të tjera kombëtare dhe lokale./aa