Nesër nis procesi për regjistrimin e popullsisë dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të gjitha përpjekjet që ky proces të fillojë kësaj radhe në kohë. Kështu bënë të ditur zyrtarja e lartë për komunikim me publikun në Agjencinë për Statistika të Kosovës, Hazbije Qeriqi, e cila thotë se presin të dhëna cilësore.

Qeriqi në një intervistë për KosovaPress, thotë se ASK tashmë i ka bërë të gjitha përgatitjet për të filluar një proces të mbarë të regjistrimit të popullsisë që do të fillojë me 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj të këtij viti.

Derisa ka treguar më shumë detaje për këtë proces, Qeriqi thotë se diaspora duhet t’i plotësojë pyetësorët online.

Në dallim nga vitet e kaluara, Qeriqi shprehet se këtë vit intervistat bëhen përmes pyetësorëve elektronikë dhe jo vetëm në letër, siç ka qenë më herët, derisa shton se presin të marrin të dhëna më cilësore. Sa i përket komunave në veri të vendit, Qeriqi thotë se janë bërë përgatitjet e nevojshme, megjithatë shton se në atë pjesë të Kosovës mund të fillojë me disa ditë vonesë. Sipas saj, periudha prej gjashtë javësh është e mjaftueshme të regjistrohen të gjitha komunitetet, përfshirë shumicën dhe pakicat.

Sa i përket diasporës, ajo thotë se është e obliguar të bëjë regjistrimin përmes pyetësorëve online, pa qenë e detyruar të jetë e pranishme. Nga fluksi i madh i punës, Qeriqi thekson se janë detyruar të punojnë përtej orarit, madje siç thotë ajo edhe fundjavave.

Regjistrimi i popullsisë është shtyrë disa herë përgjatë viteve të fundit në Kosovë./KosovaPress