Muzeu Kombëtar i Fotografisë “MARUBI” në Shkodër, mirëpret sot të gjithë dashamirësit e artit e veçanërisht të fotografisë, në hapjen e ekspozitës me pamje të magjishme të tempujve, ritualeve, traditave e peizazheve të Japonisë.
Ekspozita e titulluar “Felice Beato e Adolfo Farsari: Dy italianë në Lindjen e Largët” vjen nga një bashkëpunim me Fondacionin “Alinari” për fotografinë dhe konsulente Rossella Menegazzo.
Ekspozita sjell vende të skalitura në kohë e në histori, të paraqitura në imazhe që përpiqen të frenojnë forcën e pashmangshme e shndërruese të modernitetit.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, shkroi se ekspozita e rrallë vjen falë dedikimit të Muzeut “Marubi” dhe realizohet me mbështetjen e MEKI-t dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.
Ekspozita shënon bashkëpunimin e parë mes dy institucioneve dhe shfaq punët e dy autorëve të rëndësishëm për historinë e fotografisë italiane dhe botërore. Autorët në fjalë, ishin ndër të parët që fotografuan Lindjen e Largët, Japoninë në veçanti, duke kontribuar kështu në përhapjen e fenomenit kulturor të japonizmit në Evropë./ata