Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është drejt përfundimit rikonstruksioni tërësor i Poliklinikës së Specialiteteve në Durrës, e cila do të ofrojë shërbim për rreth 290 mijë banorë të qarkut.

Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga puna për ndërtimin e kësaj poliklinike, e cila  pritet të ketë kushte dinjitoze për stafin mjekësor dhe shërbime cilësore për qytetarët.

“Me ambiente pritëse të zgjeruara, kushte bashkëkohore dhe aparatura të teknologjisë së fundit, Poliklinika e Specialiteteve do të ofrojë shërbim të shpejtë dhe cilësor në 17 specialitete të ndryshme dhe ekzaminime laboratorike. Vijojmë pa u ndalur investimet për të transformuar dhe modernizuar infrastrukturën shëndetësore si dhe për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve”, tha Rama.

Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale pamjet nga rikonstruksioni i Poliklinikës së Specialiteteve në Durrës.

Poliklinika do të ofrojë shërbime cilësore dhe në kohë për specialitete të ndryshme si në kardiologji, neurologji, onkologji, ORL, okulistikë, endokrinologji, fizioterapi, psikiatri, nefrologji, gastroenterologji, germatologji, reumatologji, hematologji si dhe ekzaminime laboratorike ambulatore.

Në kuadër të këtij investimi, rëndësi i është dhënë krijimit të lehtësirave për të gjitha grupmoshat dhe mundësia e aksesimit për personat me aftësi të kufizuara./ata