Shërbimi i Endokrinologjisë, si pjesë e spitalit qendror në kompleksin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me kushtet e reja dhe stafin e kualifikuar, do të garantojë cilësinë më të mirë të shërbimit për qytetarët.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet e mjekëve dhe infermierëve për këtë shërbim.
Prof. Agron Ylli, shef i shërbimit të Endokrinologjisë tha se, “me këtë spital ne i ndryshojmë pamjen mjekësisë shqiptare duke i dhënë mundësi tre elementëve kryesorë; tek fëmijët të cilët vijnë dhe shtrohen në kushtet shumë të mira, e dyta ekipet mjekësore rrisin performancën e tyre për trajtimin e këtyre të sëmurëve dhe e treta studentët dhe pasuniveristarët përfitojnë nga këto kushte dhe rrisin mundësinë e përfitimit nga ana profesionale”.
Ndërsa Dr. Vjoleta Hoxha në shërbimin e Endokrinologjisë, u shpreh se, “është kënaqësi e veçantë që ne hyjmë në një spital me standarde bashkëkohore”.
Dr. Marjeta Kermaj tha se, “do ta përmblidhja; optimizëm, pozitivitet, cilësi për të gjithë kategorinë e njerëzve që do të punojnë këtu. Por mbi të gjitha cilësi shërbimi për pacientët tanë”.
Inva Sulejmani, specializante në shërbimin e Endokrinologjisë, u shpreh se, mendoj se është investimi më i madh sa i përket sistemit shëndetësor spitalor dhe në veçanti për shërbimin e Endokrinologjisë për të gjithë pacientët tanë”.
“Është kënaqësi që të jemi në një pavijon të ri që dukshëm rrit cilësinë e shërbimit për pacientët”, tha Dr. Dorina Ylli.
Elisabeta Uka dhe Dallëndyshe Koçi, infermiere në shërbimin e Endokrinologjisë, theksuan se “impakti i parë kur pamë shërbimin e ri ishte shumë i mirë dhe pozitiv. Jemi të kënaqura për spitalin e ri”.
Spitali i ri Qendror në QSUT, për sëmundjet e brendshme është një ndër veprat më të mëdha të tre dekadave të fundit në shëndetësi. Ndërtimi i Spitalit Qendror është vepra më e madhe infrastrukturore në shëndetësi, me një vlerë investimi rreth 17 mln euro. Spitali Qendror ka një sipërfaqe ndërtimi 23,290 m2, me kapacitet 345 shtretër ku akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, reumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria. Në këtë spital shërbejnë 612 staf mjekësor dhe teknik.