Kanali Al Jazeera me bazë në Katar publikoi pamje ku ushtria izraelite shënjestron civilët që përpiqen të marrin ndihmë në Rripin e Gazës dhe në të cilën vrasin me gjakftohtësi një të ri palestinez edhe pse ai nuk përbënte asnjë kërcënim.

Videoja e publikuar është vetëm një nga imazhet e shumta që janë shfaqur kohët e fundit dhe që tregon Izraelin duke vrarë qëllimisht civilë palestinezë në Gaza. Pamja e re e siguruar nga kanali Al Jazeera fillon me një avion ushtarak që hedh ndihma pranë gardhit kufitar në veri të Gazës. Në vazhdim të regjistrimit, shihet një grup të rinjsh palestinezë të cilët përpiqen të mbërrijnë tek ndihma duke vrapuar.

Ushtria izraelite qëllon me ndërprerje mbi të rinjtë që përpiqen të marrin ndihma, pavarësisht se ata nuk u afrohen atyre. Në regjistrim shihet se ushtarët izraelitë hapin zjarr me qëllim disa herë ndaj njërit prej këtyre të rinjve. I riu palestinez që u qëllua, pengohet dhe bie në tokë, ngrihet përsëri dhe përsëri pengohet.

Edhe pse i riu palestinez përpiqet të largohet ngadalë në drejtim të kundërt nga ku ndodhen ushtarët dhe automjetet izraelite, ai rrëzohet dhe bie sërish në tokë ndërsa zjarri i hapur drejt tij vazhdon. Në video palestinezi i cili u qëllua nga zjarri i drejtpërdrejtë, shihet duke u zvarritur në tokë dhe duke u përpjekur të ngrejë kokën me shpresën se do ta ndihmonin, por ai humb jetën si pasojë e sulmit nga qentë që iu afruan.

Kjo pamje 3-minutëshe dokumenton atë ngjarje që OKB-ja e quan "tragjedi të krijuar nga njeriu" në Gaza. Mediat kryesore, përfshirë Al Jazeera-n, kanë zbuluar kohët e fundit pamjet që dokumentojnë ekzekutimet e kryera nga ushtarët izraelitë kundër civilëve të paarmatosur palestinezë në Gaza.

Në sulmet që Izraeli kreu ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, janë vrarë 33.037 palestinezë përfshirë të paktën 14.500 fëmijë dhe 9.560 gra si dhe janë plagosur 75.668 të tjerë. Nën rrënoja ende ndodhen mijëra të vrarë ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore në të cilat është strehuar popullata./aa