Pas marrjes së detyrës së komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan UlutaÅŸ është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

 

Siç njoftoi Zyra e Presidentes, Osmani e uroi UlutaÅŸ-in për marrjen e detyrës së komandantit të KFOR-it, duke shprehur besimin e plotë për bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.

 

“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e koordinimit në përballjen me sukses ndaj sfidave e kërcënimeve të hapura nga Serbia që tentojnë të cenojnë sigurinë, stabilitetin dhe integritetin territorial të vendit, veçanërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit”, bëhet e ditur në njoftim.

 

Në këtë drejtim, presidentja po ashtu shprehu mirënjohjen për përforcimin e trupave të KFOR-it, të cilat po i përkrahin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë.

 

Nga ana e tij, gjeneralmajori UlutaÅŸ shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për pritjen nga ana e presidentes Osmani, duke theksuar se do të bashkëpunojë ngushtë me presidenten Osmani dhe të gjitha institucionet e tjera vendore për të realizuar përgjegjësinë e tij në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së paqes dhe stabilitetit bazuar në mandatin e misionit të KFOR-it në Kosovë.

 

Gjatë kësaj jave, nëpërmjet një ceremonie, Republika e Türkiyes ka marrë komandën e KFOR-it. Italia mori përsipër misionin e 27-të të KFOR-it nga Hungaria më 10 tetor të vitit 2022, ndërsa në ceremoninë e 10 tetorit 2023, pozita udhëheqëse e këtij misioni iu dha komandantit UlutaÅŸ./AA