“20 Ditë në Mariupol”, dokumentari fitues i disa çmimeve dhe së fundmi i çmimit OSCAR si “Dokumentari më i mirë”, do të shfaqet në Tiranë më 8 Prill në Europe House.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë bën me dije se “videogazetari Mstyslav Chernov, fotografi Evgeniy Maloletka dhe regjisorja e terrenit Vasilisa Stepanenko mbërritën një orë përpara se Rusia të fillonte bombardimin e qytetit port. Dy javë më vonë, ata ishin gazetarët e vetëm që punonin për një media ndërkombëtare në qytet, duke dërguar lajme që tregonin për viktimat civile të të gjitha moshave, gërmimin e varreve masive, bombardimin e një materniteti dhe shkallën e madhe të shkatërrimit të agresionit rus.”

Në ceremoninë e OSCAR më 11 mars, ky dokumentar u vlerësua me “Çmimin për Dokumentarin më të mirë”, i pari për Agjencinë e Lajmeve “Associated Press” dhe “PBS Frontline”.

Delegacioni i BE-së informon se pas shfaqjes së dokumentarit, aktiviteti do të vijojë me një diskutim me Oleksandr Sushko, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Ndërkombëtar të Rilindjes nga Ukraina.

Hyrja do të jetë e lirë./ata