Një takim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së u ndal për pak kohë kur një tërmet goditi pjesën lindore të SHBA-së.

Janti Soeripto, presidente e organizatës “Save the Children US”, po i drejtohej një takimi të këshillit mbi situatën në Lindjen e Mesme, kur një tërmet me magnitudë 4.8 goditi shtetet verilindore të SHBA-së, New Jersey dhe New York.

I ulur pranë Soeripto-s, i dërguari palestinez i OKB-së Riyad Mansour tha: "Ju po bëni tokën të dridhet".

Gjatë fjalimit të tij, Soeripto tha se në konflikt janë vrarë 14 mijë fëmijë "në mënyrë të panevojshme dhe të dhunshme" dhe mijëra të tjerë janë të zhdukur, që supozohet se janë varrosur nën rrënoja.

"Nëse do të ulesha këtu dhe do të lexoja emrin dhe moshën e çdo fëmije izraelit dhe palestinez që ka vdekur më 7 tetor dhe që nga kjo datë, do të më duheshin mbi 18 orë", shtoi ajo.

Pas takimit, Soeripto tha se tërmeti mund të ketë ndërprerë fjalët e saj në këshill.

“Por ajo për të cilën bëra thirrje është larg nga shkatërrimi i tokës. Në emër të të gjithë fëmijëve në Gaza, kërkova veprim. Bota ka mjetet për të trajtuar këtë krizë. Thjesht i mungon vullneti politik për t'i përdorur ato", u shpreh ajo në X.

Epiqendra e tërmetit me magnitudë 4.8 u regjistrua në Hunterdon të New Jersey-s, në perëndim të ishullit Manhattan ku ndodhet selia e OKB-së në New York.

Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme./aa