Qeveria e Kosovës akuzon Serbinë se është distancuar nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në ekzekutivin kosovar, thonë se lobimi aktiv i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe letra e kryeministres serbe, Ana Bërnabiq drejtuar Bashkimit Evropian, e kanë sulmuar marrëveshjen në dy pikat e saj qendrore që do t’ia pamundësojnë zbatimin e saj. Sipas tyre, fajtor është edhe përfaqësuesi i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, i cili nuk arriti ta bindë Serbinë për nënshkrim të ujdisë dhe zbatim të saj.

Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, tha sot për KosovaPress, se Serbia me veprimet e fundit e ka kontestuar ekzistencën e marrëveshjes së Brukselit.

Sipas tij, letra e krerëve institucional dërguar Këshillit të Evropës konfirmon vetëm gatishmërinë e Kosovës për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit, duke përfshirë edhe Asociacionin, mirëpo pas anëtarësimit në këtë mekanizëm ndërkombëtar.

Duke folur për rolin e emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, teksa është në përfundim të mandatit, Zulfaj thotë se kanë pasur mospajtime për shkak të qasjes së tij dhe mosbarazisë ndërmjet palëve.

Në anën tjetër, Zulfaj për KosovaPress flet edhe për qeverisjen trevjeçare, ku rendit sukseset që sipas tij janë arritur.

Ai përmend zhvillimin ekonomik, progresin demokratik dhe shtrirjen e sovranitetit në veri, derisa thekson se s’kanë pasur asnjë aferë korruptive.

Sa i përket mundësisë për zgjedhje të parakohshme brenda këtij viti, Zulfaj, tha se janë të gatshëm për një gjë të tillë, por vetëm kur të dakordohen me partitë opozitare për datën e zgjedhjeve dhe shpërbërjen e Kuvendit.

/KosovaPress