Ushtria izraelite njoftoi se ka kryer sulme ajrore ndaj disa objektivave në Rripin e Gazës nën bllokadë.

 

Vrasja e 11 palestinezëve, përfshirë një fëmijë në bastisjen që forcat izraelite kryen dje në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor nën pushtim, ka përshkallëzuar tensionet në rajon.

 

Në një deklaratë me shkrim nga ushtria izraelite thuhet se nga Rripi i Gazës janë lëshuar 6 raketa në drejtim të pjesës jugore të Izraelit ku 5 prej tyre janë shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes ajrore ndërsa një raketë ka rënë në tokë të hapur. Është ndarë informacioni se sirenat e sulmit u dëgjuan në qytetet Sderot dhe Ashkelon përreth Rripit të Gazës.

 

Në një deklaratë të dytë nga ushtria izraelite thuhet se në orët drejt mëngjesit avionët luftarakë izraelitë goditën disa objektiva në rripin e Gazës, përfshirë depot e armëve për të cilat pretendohet se i përkasin organizatës së rezistencës palestineze, Hamas.

 

Në deklaratë vihet në dukje se sulmet janë kryer si kundërpërgjigje e raketave të lëshuara në orët e natës drejt Izraelit.

 

Ndërkohë nuk janë ndarë informacione nëse ka apo jo humbje jete ose të plagosur në rripin e Gazës nën bllokadë.

 

Tensione të larta për shkak të bastisjes së ushtrisë izraelite në Nablus

 

Forcat izraelite, mëngjesin e së mërkurës kryen bastisje në disa pika në qytetin Nablus në veri të Bregut Perëndimor.

 

Ushtarët izraelitë të cilët rrethuan një shtëpi në zonën historike të Qytetit të Vjetër në Nablus, ndërhynë me plumba të vërtetë ndaj palestinezëve që protestuan kundër bastisjeve, ku si pasojë u vranë 11 palestinezë përfshirë një fëmijë, dy të moshuar si dhe u plagosën mbi 100 palestinezë të tjerë, 6 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

 

Në një deklaratë nga Ministria palestineze e Shëndetësisë, 63 palestinezë janë vrarë në territoret nën pushtim që nga fillimi i vitit si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtria izraelite dhe kolonët hebrenj./AA