Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj mori pjesë sot në kuvendin zgjedhor të degës së Partisë Demokratike në Mallakastër, ku theksoi se, “e ardhmja e Shqipërisë do të jetë me një sistem drejtësie që vepron”.
Në fjalën e tij Alibeaj tha se “kush do bashkim, bëhet vetëm përmes këtyre vlerave: drejtësi pa kompromis, kursi Euroatlantik, asnjë “non grata” brenda nesh, zgjedhje të lira me lista të hapura, distancim nga çfarëdolloj bartësi të korrupsionit brenda nesh. Kush i pranon, bujrum. Kush jo, derën e Partisë Socialiste aty e ka, pazari aty është, le të zvarriten pas karrigeve që kanë, s’ua ka nevojën askush”.
“Ky është qëndrimi që kemi ne final. Kjo është luftë për të ardhmen e Shqipërisë. Nuk është thjesht kush po fiton, kush po merr ndonjë votë më tepër, jo. Ajo që ndahet në këtë periudhë e në zgjedhjet që vijnë, është e ardhmja e Shqipërisë. E ardhmja e Shqipërisë do të jetë me një sistem drejtësie që vepron, me njerëz që zgjedhin përfaqësuesin e tyre, me njerëz të cilët do ta qeverisin këtë vend pa korrupsion, me njerëz të cilët nuk do ta konsiderojnë si çiflig Shqipërinë, siç kanë bërë këto 34 vite ata që janë”, theksoi Alibeaj.
“Ne kishim një ofertë shumë të mirë dhe besoj atë që shqiptarët duan për zgjedhjet. Garë, lista të hapura, të gjithë në garë në mënyrë të barabartë. Kush e meriton votën të dalë kandidat dhe të jetë përfaqësues i shqiptarëve në Kuvend. Kjo ishte kërkesa e parë. E dyta, të votojnë të gjithë shqiptarët që janë larguar, janë dëbuar në këto 10 vite”, tha Alibeaj./ata