Tirana është në merak për pikët. Bardheblutë e futbollit kanë pësuar dy humbje në ndeshjet e fundit në Superligë, ato kundër Teutës dhe Kukësit. Skuadra e drejtuar nga Erbim Fagu luan nesër në udhëtim kundër Skënderbeut, duel ky që vlen për raundin e 30-të.

Nesër në 18:00 në Korçë kërkohen vetëm tri pikët, me Erbim Fagun që për mediet ia ka faturuar ngërçin rëndesës psikologjike. Ermal Meta do jetë mungesa e vetme për Tiranën, që në këto momente duhet të luftojë për "Final 4".

"Si e shikoni këtë transfertë me një rival direkt për zonën “Final 4”?

Skënderbeu në ndeshjet e fundit ka shfaqur lojëra të mira. Pozitat janë të tilla në klasifikim që na intereson vetëm tripikëshi, kështu që ne po përgatitemi për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje.

Ndeshja më e rëndësishme e sezonit?

Duke qenë se është fundi i sezonit, cdo ndeshje që luajmë është e rëndësishme, por duke parë klasifikimin dhe pikët në lojë, patjetër që është ndeshje shumë e rëndësishme për ne.

E mendoje këtë situatë përpara se të merrje drejtimin e skuadrës?

Nuk mendoj se cfarë do të ndodhë nesër apo pasnesër, mendoj gjithmonë momentin dhe të bëj maksimumin. Sigurisht, rezultatet nuk kanë qenë ato që kemi dashur, por e rëndësishme është që jemi akoma në lojë për të kapur objektivat.

Sa i arritshëm është titulli?

Për momentin nuk mund të flasim për titullin, pasi fillimisht duhet të kapim Final 4. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe kualitete. Skuadra është ndërtuar që në fillim për të fituar titullin, por në momentin që po flasim, e rëndësishme është të kapim Final 4, pastaj të shohim play-off-in.

Keni mungesa?

Përvec Metës, pjesa tjetër është e disponueshme.

Cfarë ju shqetëson më shumë, forma e Skënderbeut apo gjendja juaj psikologjike?

E dyta mund të jetë problem, por kemi punuar këto ditë nga ana psikologjike me lojtarët, kështu që secili nga lojtarët do të japë maksimumin për të marrë fitore.

Ndërkohë, Skënderbeu shiti Frenklin…

Për skuadrat e kampionatit tonë nuk është se një lojtar do të ndikojë në një ndeshje apo strukturën e ekipit, ne shkojmë me të njëjtin vlerësim ndaj Skënderbeut.

Sa ndikon lodhja në mesjavë në Kupë?

Tirana është mësuar të luajë cdo tri ditë, duhet ta shohim edhe se si do të marrë rrjedha e lojës. Nuk besoj se kjo do të ndikojë gjatë sfidës, futem me objektivin për tri pikët", tha Fagu.

 

Pas 29 ndeshjeve të luajtura, Skënderbeu me 40 pikë mban vendin e pestë, ndërsa Tirana ndodhet një pozitë më poshtë me 39 pikë.