Në Baku të Azerbajxhanit është duke u mbajtur turneu kualifikues i mundjes për Lojërat Olimpike "Paris 2024". Në peshën deri në 65 kilogramë, mundësi Islam Dudaev që përfaqëson Shqipërinë ka fituar dy përballjet e para me diferencë dhe tanimë në gjysmëfinale e pret Haji Aliyev i Azerbajxhanit.
Në përballjen e parë, rusi i natyralizuar si shqiptar mundi 10-0 rivalin polak Dominik Jagusz. Të njëjtën gjë Dudaev e përsëriti edhe në çerekfinale, duke mos i lënë mundësi rivalit izraelit Josh Finesilver për rezultatin 10-0.
Tanimë në gjysmëfinale Dudaev do përballet me Haji Aliyev të Azerbajxhanit, me shpresën se vendi në finale do i japë të drejtën për Olimpiadën e Parisit 2024.
Kujtojmë se Dudaev më 17 shkurtin e këtij viti u shpall Kampion Europe për peshën e tij në mundje, në garën e zhvilluar në Rumani.