Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vijoi të martën shqyrtimin e dosjes hetimore të shpërthimit të Gërdecit, ku i pandehur është ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Më 15 mars 2008 nga shpërthimi i një punishteje demontimi të armëve humbën jetën 26 persona e qindra u plagosën.

Gjatë seancës së sotme, GJKKO vendosi të administrojë procesverbalin e dëshmisë së ish- shefit të Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, i cili nuk mori pjesë në seancë, pasi ndodhet në SHBA. Lidhur me këtë rast, avokatët e Mediut dhe avokati i viktimave këmbëngulin që Luan Hoxha të pyetet me letërporosi ose përmes videokonferencës. Por, sipas prokurorit kjo gjë është e pamundur pasi nuk ka një adresë të saktë të vendndodhjes së tij në SHBA.

Gjatë seancës së sotme, i vetmi që u paraqit ishte ish-anëtari i komisionit të çmimeve për vitin 2007, i thirrur me shoqërim te detyrueshëm nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, Denis Hajdari, por nuk preferoi të fliste, duke ushtruar të drejtën që i jep ligji.

Ndërsa dëshmitarja tjetër e thirrur është Anjola Agolli ish-sekretarja e Ministrisë së Drejtësisë, por nuk u gjet nga policia as në këtë seancë. Prokuroria kërkoi që të lexohen thëniet e saj, por në seancën e radhës pasi të shfrytëzohen mundësitë e tjera për ta gjetur.

Në vijim të seancës, avokatët mbrojtës të Mediut i kërkuan Prokurorisë të përcaktonte rolin e ish-ministrit të mbrojtjes dhe përgjegjësitë e tij lidhur me provat që ato administrojnë. Në përfundim të seancës së zhvilluar të martën, ish-ministri Mediu tha se gjenerali Luan Hoxha duhet të pyetet me letërporosi ose videokonferencë për të pasur një proces të drejtë ligjor.

“Ne i kërkuam Prokurorisë sot të na thotë ekzaktësisht ku është përgjigja dhe veprimi subjektiv i ministrit. Nëse ky debat nuk do zhvillohet rreth përgjegjësive të ministrit, mendoj që është proces që tentohet të kalohet si i radhës”, tha Mediu.

“Duhet të shtrojmë në thelb të gjitha faktet ashtu siç janë. Ata që janë dëshmitarët kryesorë nuk kanë pranuar që të pyeten. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, duhet patjetër t’i japë përgjigje disa pyetjeve për të hedhur dritë mbi të vërtetën. Nuk mund të marrim të mirëqenë deklarata që janë bërë në një moment të caktuar. Ky duhet të jetë një debat interaktiv. Nëse në gjykatë vazhdojmë të ecim me absurdin, unë mendoj që kjo nuk i shërben të vërtetës”, tha ish-ministri i Mbrojtjes.

GJKKO vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më datë 24 prill ora 12:00./ata