Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka mori pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Koalicionit Global për shkatërrimin e ISIS (D-ISIS), që u zhvillua në Riad, Arabia Saudite, nën bashkë kryesimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, përfaqësuar nga Antony Blinken dhe Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Arabisë Saudite, të përfaqësuar nga Princi Faisal bin Farhan Alsaud.
Në ndërhyrjen e saj, Ministrja Xhaçka evidentoi rolin, angazhimin dhe kontributin pro aktiv të Shqipërisë, si dhe përparësinë që vendi ynë i ka dhënë luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, duke e vendosur atë si një nga fushat prioritare të angazhimit tonë si vend anëtar jo i Përhershëm i Këshillit të Sigurimti të OKB.
“Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit ka qenë një nga prioritetet e punës sonë në Këshillin e Sigurimit. Gjatë mandatit tonë të deritanishëm kemi punuar ngushtë me miqtë dhe aleatët për të përfaqësuar dhe çuar përpara interesat dhe objektivat tona të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit. Shqipëria është e përkushtuar ndaj këtij Koalicioni, kudo që paraqitet kërcënimi i terrorizmit dhe ne do të punojmë ngushtë me të gjithë aleatët dhe partnerët për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha kryediplomatja shqiptare.
Duke qenë një nga vendet e para, pjesë e aksionit të përbashkët politik ndërkombëtar në kuadër të Koalicionit Global kundër ISIS, Shqipëria rikonfirmoi edhe një herë qëndrimin e saj, krahas vendeve partnere në Koalicion, për vazhdimin e luftës kundër ISIS, dhe çdo shfaqjeje të terrorizmit.
Në Deklaratën e përbashkët të miratuar në takim, u bëhet thirrje partnerëve në Koalicion që të jenë vigjilentë e të punojnë së bashku ndaj çdo forme të shfaqjes së rrezikut terrorist, në çdo rajon të botës.
Takimi i ministrave të jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të Koalicionit Global të luftës kundër ISIS, përbën një event të rëndësishëm dhe kontribues në orientimin dhe bashkërendimin e përpjekjeve globale për një fitore të qëndrueshme kundër terrorizmit ndërkombëtar.