Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit, organizuan konferencën “Shëndeti im, e drejta ime”.

Në këtë konferencë morën pjesë drejtues të institucioneve të shëndetësisë në Kosovë, përfaqësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mjekë.

Shefi i Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, Aleksandër Martinienko, tha se shëndeti është e drejtë fundamentale e njeriut dhe secili e gëzon këtë.

“Ne e ndjejmë kur dikush na thotë: jo nuk mund ta bësh këtë gjë, s’mund të largohesh nga ky shtet, s’mund ta marrësh këtë shërbim dhe ne pastaj, shpresoj, reagojmë në lidhje me këtë. Por a e ndjejmë të gjithë njëjtë, a kemi një qasje të tillë edhe kur bëhet fjalë për shëndetin tonë. A mendojmë edhe për shëndetin tonë si një e drejtë?”, theksoi Martinienko i cili shtoi se Kushtetuta e OBSH-së më 1948 ka thënë se shëndeti është e drejtë fundamentale.

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia theksoi se duhet të sigurohet barazia e kujdesit shëndetësor për të gjithë qytetarët, pa dallim.

Vitia vlerësoi se pandemia e COVID-19 tregoi se sa i rëndësishëm është shëndeti dhe sa i rëndësishëm ishte punësimi i personelit profesional shëndetësor, ndonëse në mesin e humbjeve njerëzore ishin edhe profesionistë të shumtë të shëndetësisë që humbën jetën në detyrë.

“Të gjithë pa përjashtim kemi përgjegjësinë për organizim të mirë dhe përkushtim për të përmbushur qëllimet tona për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit duke hartuar ligje moderne dhe plane adekuate, duke përmirësuar infrastrukturën shëndetësore, duke rritur burimet financiare dhe duke krijuar lehtësira për qasje të barabartë për të gjithë në informim për shërbimet shëndetësore”, tha Vitia.

Zv/Avokatja e Popullit Majlinda Sinanaj-Lulaj, tha se gjatë vitit 2023 nga 267 ankesa të pranuara, Avokati i Popullit ka hapur 58 raste për hetim.

Sinanaj-Lulaj tha se natyra e ankesave të pranuara dhe të trajtuara ka të bëjë me mungesën e barnave, produkteve dhe pajisjeve mjekësore.

Dita Botërore e Shëndetit është një ditë globale e ndërgjegjësimit shëndetësor që festohet për çdo vit më 7 prill, nën sponsorizimin e Organizatës Botërore të Shëndetit, si dhe të organizatave të tjera të ndërlidhura./aa