Ruanda dhe Gjermania janë vënë në krye të përpjekjeve për kalimin e një projektrezolute e cila e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.

Pjesë e nismës që ka tërbuar Serbinë është edhe Shqipëria, siç tregojnë dokumentet e para nga VOA, së bashku me SHBA, Bosnjen vetë, Kilin, Finlandën, Zelandën e re, Turqinë, dhe vende të tjera. Drafti bazohet pjesërisht në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 2004, që shpalli 7 prillin Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit për Gjenocidin e vitit 1994 ndaj grupit Tutsi në Ruandë.

Dokumenti do të prezantohet në një takim më të gjerë me dyer të mbyllura të vendeve të OKB-së më 17 prill. Hartuesit e tij do të marrin aty parasysh edhe propozimet e vendeve të tjera anëtare dhe të shohin se çfarë mbështetje mund të presin për nismën e tyre në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila përbëhet nga 193 vende anëtare.

Në tekstin e projektrezolutës, dënohet mes të tjerash çdo tentativë për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë dhe për të ngritur figurat e atyre, që janë dënuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Serbia është lobuar fort kundër rezolutës në fjalë, që e përshkruan atë si shtet genocidial.

Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë, një nga mizoritë më të mëdha kjo në Europën që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.