Parlamenti i Lituanisë ka miratuar një rezolutë që u bën thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të përcaktojnë Rusinë si një “shtet terrorist”.
Siç raporton transmetuesi lituanez ‘LRT’, rezoluta u mbështet nga 114 ligjvënës në parlamentin me 141 ulëse.
“Para së gjithash, ne i bëjmë thirrje BE-së dhe vendeve anëtare që të punojnë së bashku për të zgjeruar kornizën ligjore të BE-së për njohjen e shteteve që sponsorizojnë terrorizmin dhe përdorin mjete terroriste. Ne bëjmë thirrje për sigurimin e zbatimit të politikës së sanksioneve të BE-së duke parandaluar çdo anashkalim të sanksioneve”, tha Raimundas Lopata, një deputet liberal dhe një nga autorët e rezolutës.
Rezoluta përfshin ngritjen e çështjes së “përgjegjësisë së Rusisë për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit ose gjenocidin në Ukrainë”, si dhe njohjen e Rusisë si një “shtet që sponsorizon dhe kryen terrorizëm”.
Në muajin maj të vitit të kaluar, parlamenti lituanez e përcaktoi Rusinë si një “vend terrorist” pasi filloi “operacionin special ushtarak” në Ukrainë.