Të paktën 29 palestinezë u vranë si pasojë e bombardimit të një shtëpie në Rripin e Gazës në ditën e tretë të Fitër Bajramit nga ushtria izraelite.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, ushtria izraelite bombardoi një shtëpi që i përkiste familjes palestineze Et-Tabatibi në bulevardin "Yafa" në lagjen Daraj të rajonit Sidra në qytetin e Gazës.

Sipas të dhënave paraprake në sulm humbën jetën 29 persona dhe u plagosën 3 të tjerë. Shumë palestinezë u plagosën pasi helikopterët e ushtrisë izraelite shënjestruan të paktën 3 shtëpi në lagjet Zeitoun, Shujaiyya dhe Rimal të qytetit të Gazës.

Helikopterët e ushtrisë izraelite shënjestruan edhe zonat veriore të kampit të refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës ndërsa bombarduan disa ndërtesa në veri të kampit.

Si pasojë e shënjestrimit nga ushtarët izraelitë të një shkolle ku strehoheshin palestinezët e zhvendosur në kampin e refugjatëve Al-Jadid në Nuseirat, u plagosën shumë njerëz, të cilët u dërguan në spitalin "Dëshmorët e Aksa-së" në Deir Al-Balah.

Në sulmet e ushtrisë izraelite të kryera nga deti një i vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur u nxorën nga një shkollë që u shënjestrua në kampin e refugjatëve Al-Jadid. Në jug të Rripit të Gazës, ekipet e Mbrojtjes Civile nxorën trupat e dekompozuar të 13 personave nga rrënojat e ndërtesave të shembura në lagjen Al-Amal në qytetin Khan Younis./aa