Politikani disident i burgosur Alexei Navalny u bëri thirrje sot rusëve që të vazhdojnë t’i rezistojnë Kremlinit pasi u dënua me 19 vjet burg për “ekstremizëm”, një dënim që ai e konsideron të barabartë me “të përjetshëm”.
“Po ju detyrojnë të largoheni nga Rusia juaj pa luftuar kundër bandës së tradhtarëve, hajdutëve dhe mashtruesve që kanë marrë pushtetin. Putini nuk duhet ta arrijë qëllimin e tij. Mos e humbni vullnetin për të rezistuar”, tha Navalny, sipas një mesazhi të postuar në faqen e tij në Facebook nga ekipi i tij.
Në të njëjtin gjyq, Daniel Holodny, një teknik televiziv që punonte për kanalin e Navalny në YouTube, u shpall gjithashtu fajtor për “organizim të një grupi ekstremist” dhe u dënua me tetë vjet burg, raportoi Novaya Gazeta.
Në një deklaratë të lëshuar dje në prag të vendimit të gjykatës, Navalny e quajti 25-vjeçarin Kholondny një “frymëzim”, duke thënë se ai kishte refuzuar disa oferta për ta liruar atë në këmbim të dëshmimit kundër të tjerëve.
“Holondny është inteligjent, i gëzuar, i përmbajtur. Dhe gjëja kryesore është se ai e kupton pse u shpik ky gjyq, por ai nuk i la që ta frikësojnë ose thyejnë vullnetin e tij. Bëhuni si ai”, shtoi ai në mesazhin e tij mbështetësve.