Sipas mediave perëndimore, Irani do të nisë një hakmarrje të kalibruar saktësisht kundër Izraelit për sulmin ndaj konsullatës iraniane në Siri, që nuk do të shkaktojë një konflikt gjithëpërfshirës rajonal.
Gazeta amerikane ‘Financial Times’ tha se diplomatët perëndimor arritën në përfundim, bazuar në bisedimet midis Iranit dhe kryeqyteteve evropiane, se Irani “po përgatit një përgjigje që synon të demonstrojë forcë frenuese duke treguar gjithashtu përmbajtje”.
Një zyrtar perëndimor për gazetën tha se edhe nëse Irani angazhohet në një sulm të drejtpërdrejt në territorin izraelit, ai ndoshta do të “kalibrohet” në një mënyrë që nuk do të shkaktojë “një hakmarrje izraelite që do të çonte në shkatërrimin e aseteve iraniane në Liban dhe Siri”.
Të enjten, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ushtria izraelite është e përgatitur për të përballuar sfidat nga të gjitha frontet derisa tensionet rriten me Iranin.
“Ne vendosëm një parim të thjeshtë, këdo që na godet, ne e godasim”, tha Netanyahu.
Tel Avivi është në gatishmëri të lartë mes frikës për një sulm të mundshëm iranian ndaj objektivave izraelite pas kërcënimeve të Teheranit për t’u hakmarrë kundër një sulmi të dyshuar izraelit më 1 prill në konsullatën iraniane në Damask.
“Mos”, tha presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në mesazhin e tij drejtuar Teheranit.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së Izraelit. Ne do ta mbështesim Izraelin. Ne do të ndihmojmë në mbrojtjen e Izraelit dhe Irani nuk do të ketë sukses”, u tha Biden gazetarëve dje./aa