Një person në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, u qëllua për vdekje pasi sulmoi një oficer policie përpara ambasadës izraelite sot, tha Ministria e Brendshme e vendit.

Sipas ministrisë, një oficer i Xhandarmërisë i identifikuar si Millosh Jevremoviq përdori një armë në vetëmbrojtje ndaj sulmuesit, i cili vdiq për shkak të plagëve, tha ministria.

Jevremoviq punon si roje e përhershme e sigurisë në ambasadë.

Punonjësi i policisë është transportuar në një qendër urgjence në gjendje të vetëdijshme, ku do t’i nënshtrohet një operacioni për heqjen e një shigjete nga qafa.

Ka nisur hetimi për zbardhjen e rrethanave të sulmit dhe motiveve të mundshme.

Ministria tha se oficeri u qëllua në qafë me një hark dhe shigjetë.

Ministri i Brendshëm Ivica Daçiq ka shkuar në qendrën e urgjencës për të vizituar oficerin e plagosur i cili ka pësuar lëndime të rënda.

Daçiq e quajti incidentin akt terrorist dhe tha se policia ndaloi një person tjetër pranë objekteve të policisë si masë paraprake.

Duke folur në një konferencë për shtyp, ai tha se personat e përfshirë ishin të njohur për forcat e sigurisë.

Zyrtarët dhe diplomatët e ambasadës izraelite nuk ishin në ndërtesë në momentin e incidentit kur oficeri u sulmua.

“Policia është duke hetuar rastin. Nuk kemi detaje të mëtejshme. Në momentin e ngjarjes, ambasada ishte e mbyllur dhe zyrtarët dhe diplomatët e saj nuk ndodheshin në ndërtesë. I urojmë shërim të shpejtë pjesëtarit të plagosur të xhandarmërisë”, i tha ambasada transmetuesit lokal N1./aa