Ish-kryebashiaku i Durrësit, i cili u lirua nga qelia disa javë më parë, është paraqitur sot (12 prill 2024) në GJKKO e cila zhvillon sot seancën paraprake. Brenda Gjykatës Dako ka dalë kundër qëndrimeve të SPAK që e akuzon për shpërdorim detyre në dy episode. 

Në seancë u ekspertët e pavarur sollën aktekspertizën e re në GJKKO, rreth kostos së ndërtimit të vijës bregdetare në Durrës që sipas Prokurorisë është dhjetëfishuar.  Ekspertiza e re që u bë me kërkesë të gjykatës ka konkluduar se vlera e dëmit është 6.270.000 lekë pa tvsh.

Edhe kjo akt ekspertizë është kundërshtuar nga avokatët dhe vetë Vagjush Dakos të cilët pretendojnë se nuk ka patur abuzime me tenderin e shëtitores.

Sipas aktekspertimit të parë që iu bë për procedurën e prokurimit të shërbimit konsulencë për projektin e Promenadës Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila, SPAK konstatoi se dëmi i shkaktuar ishte 18 milionë lekësh të reja.

Episodi i dytë ka të bëjë me ndërtimin një pallati pa leje teksa leja u aprovua pasi përfundoi ndërtimi madje edhe pasi kishin hyrë blerësit.

Dako ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Gjykata e Posaçme mori vendimin për lirimin nga qelia të tij duke e çuar në arrest shtëpie më 27 shkurt 2024 për shkak të kalimit të afateve të paraburgimit. Vendimi u ankimua nga Prokuroria e Posaçme, e cila kërkoi rikthimin e ish-kryebashkiakut socialist në burg, por togat e zeza të Apelit vendosën ta linin në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.

Më 17 prill ora 10:00 Gjyqtarja e seancës paraprake Fjojera Davidhi do të vendosë nëse dosjen do e kalojë për gjykim apo jo.