Efektet e dëmshme shëndetësore të duhanit, si dhe të konsumit të cigareve elektronike apo atyre me ngrohje, ishin në fokus të punës së Komitetit Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit.

Në takimin e zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë u vendos të ndërmerret një fushatë për të demotivuar konsumin e produkteve të duhanit. Po ashtu, u vendos dhe forcimi i bashkëpunimit me Policinë, me qëllim rritjen e kontrollit për konsumin e duhanit në ambientet e shkollave.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ndan foto nga mbledhje e Komitetit Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit, ku të pranishëm ishin dhe përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe institucione të tjera të zbatimit të interesit.

Sipas ministres Koçiu, gjatë mbledhjes u vendos vijimi i një fushate ndërgjegjësimi për efektet e dëmshme të duhanit, si dhe një fushatë promovimi për dekurajimin e përdorimit të produkteve të duhanit.

“Vërehet në një masë të shtuar përdorimi dhe keqinformimi për produktet ‘Cigare elektronike’ dhe ‘Duhan me ngrohje’ nga popullata, veçanërisht në ambiente të mbyllura, të cilat japin efektin e njëjtë apo të barabartë me duhanin e zakonshëm”, thuhet në postim.

“Në vijim u vendos: Të shtrihet në të gjithë vendin fushatë e zgjeruar sensibilizuese për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit në bashkëpunim me të gjitha institucionet. Të promovojë programe dhe projekte informuese dhe edukuese në shkolla, për rreziqet dhe dekurajimin e përdorimit të produkteve të duhanit tek të rinjtë me qëllim mbrojtjen e shëndetit. Thellimin e bashkëpunimit me institucionet qeveritare për rishikimin e qasjes dhe politikave për reduktimin e dëmit që i kanoset shëndetit nga duhanpirja. Bashkë me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit do të sigurohemi që kontrollet brenda dhe jashtë ambienteve të shkollave dhe gjimnazeve, të jenë nën monitorim të vazhdueshëm, edhe kundrejt ambulantëve për parandalimin e shitjeve të produkteve të duhanit tek të rinjtë.

Së bashku të ndalojmë përhapjen e dëmshme të duhanit dhe të mbrojmë të ardhmen e shëndetit tonë”, bën thirrje ministrja Koçiu./ata