Edhe 640 pemë i janë shtuar “Dumrea Eco Park”, një tjetër oaz i gjelbër që nuk duhet lënë pa u vizituar në Belshin e rilindur.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga mbjellja e pemëve të reja në “Dumrea Eco Park”, një nga pikat më të reja turistike ndërtuar me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Rama theksoi se bashkë me shumë të tjera të këtij lloji, ky investim e ka shndërruar Dumrenë në një prej destinacioneve më të rëndësishme agroturistike në Shqipëri.

Zona e Dumresë po orientohet gjithnjë e më shumë drejt turizmit të qëndrueshëm, si një turizëm që promovon resurset lokale duke respektuar njëkohësisht ekuilibrat e brishtë mjedisorë.

“Dumrea Eco Park” në Belsh është një strukturë hoteliere me 9 shtëpiza elegante në dru dhe xham me pamje nga liqeni i Marinës, një nga 84 liqenet karstikë të këtij rajoni piktoresk të Shqipërisë së Mesme.

Investimet në vepra publike dhe ato private në sektorin e hotelerisë, restoranteve apo bujtinave, e kanë shndërruar zonën e Dumresë në një prej destinacioneve më të rëndësishme agroturistike në Shqipëri./ata